REPUBLIKA E KOSOVËS

Avokati i Popullit

paraqit rastin

Thirrja falas

Lajme

Lajme

17.9.2012

Fjala e Avokatit të Popullit, z. Sami Kurteshi në Kuvendin e Republikës së Kosovës

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit, Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë, Të nderuar zonja dhe zotërinj, anëtare/ë të kabinetit qeveritar,
Bazuar në nenin 135, paragrafi 1 dhe 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 27, paragrafi 1 dhe 2, të Ligjit për Avokatin e Popullit, ju paraqes Raportin vjetor, të njëmbëdhjetin me radhë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, që përfshin periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2011.
Duke e kuptuar raportimin vjetor si një obligim kushtetues reciprok të Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju falënderoj për mundësinë e ofruar për paraqitjen e këtij raporti para jush.

Shpërfaqja e punës njëvjeçare të Institucionit të Avokatit të Popullit përfshin të gjitha hallkat vepruese të tij dhe të paraqitura sipas një renditjeje logjike të bazuar në misionin kushtetues të Avokatit të Popullit: mbrojtja, mbikëqyrja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Pra, paraqitja e gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë dhe kahet e zhvillimeve të kësaj gjendjeje është njëri prej postulateve kryesore që shpërfaq ky raport.
Mjerisht, në Republikën e Kosovës gjendja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut lë shumë për të dëshiruar.
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut përbëjnë bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës. Drejtësia ligjore, e pranueshme dhe e zbatueshme në jetën praktike, për të gjithë individët pa asnjë dallim, në të gjithë territorin e shtetit, përbën bazën e shtetit ligjor. Fatkeqësisht në Kosovë këto shtylla qenësore të shtetit ligjor cenohen në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë të brishta në secilën fushë të jetës.
Pasojë e drejtpërdrejtë e mosangazhimit të mekanizmave shtetërorë në fushën e zbatimit të drejtësisë, është besimi i humbur në shtetin ligjor. Ky mosbesim shtrihet që nga shtresat më të varfra dhe më të pafuqishme të shoqërisë, deri tek zyrtarët më të lartë të shtetit. Edhe më tutje, në Republikën e Kosovës, drejtësia e shtetit është përzgjedhëse. Në vend se ta sheshojë, ajo gjithnjë e më tepër po e thellon hendekun ndërmjet qytetarit të pambrojtur dhe shtetit, që për detyrë themelore dhe të vetme e ka ta mbrojë qytetarin.
Humbja e besimit në shtetin ligjor dhe mungesa e angazhimit të mekanizmave shtetërorë për përmirësimin e kësaj gjendjeje, dëshmon mungesën e një ndërgjegjësimi për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Kjo gjendje forcon pozitat e kastës shkelëse të të drejtave dhe lirive të njeriut, përballë qytetarit gjithnjë e më të pafuqishëm.
Mungesa e ndërgjegjësimit institucional për zbatimin e ligjit dhe për krijimin e shtetit ligjor, po shoqërohet me një tronditje që po prekë të gjitha poret e sistemit ligjor në Republikën e Kosovës. Humbja gjithnjë e më e madhe e besimit të qytetarëve në mekanizmat e drejtësisë në Kosovë, po shkakton pasojat e tjera shumëfish më të mëdha dhe më të rrezikshme - tentimet gjithnjë e më të shumta të marrjes së ligjit në duar të veta nga ana e qytetarëve. Fatkeqësisht, kjo gjendje po shpie në anarki ligjore, e cila po kaplon të gjitha fushat e shoqërisë sonë. Ndërkaq, si pasojë vërejmë një përkeqësim në rritje të raporteve ndërshoqërore dhe ndërnjerëzore.
Institucioni i Avokatit të Popullit, bazuar në mandatin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore, në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë, përkatësisht për përmasat e shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut, nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Avokati i Popullit, vazhdimisht ka dhënë dhe jep rekomandime për përmirësimin e lëshimeve dhe të metave të vërejtura. Mirëpo, fatkeqësisht edhe më tutje është evidente mungesa e ndikimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në organet shtetërore, një pjesë e madhe e të cilave mjerisht, nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të përmirësuar gjendjen.
Moszbatimi dhe injorimi i këtyre rekomandimeve, pikërisht nga ato organe dhe institucione të cilat janë të thirrura të zbatojnë ligjet dhe t’u krijojnë mundësi qytetarëve për të zgjidhur problemet e tyre, është tejet shqetësues.
Institucioni i Avokatit të Popullit, me të gjeturat e shkeljeve të ndryshme dhe rekomandimet për mënjanimin e tyre, me komunikimin e pandërprerë me institucionet përkatëse dhe ndërmjetësimet midis tyre dhe qytetarëve, në vazhdimësi është angazhuar dhe angazhohet në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Madje, këtë e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me gjithë vështirësitë e ndërskaamsat që i bëhen, qoftë me neglizhencën e institucioneve për të krijuar një klimë më të mirë për drejtat dhe liritë e njeriut, qoftë me injorimin apo moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit apo edhe përpjekjet për dobësimin e tij.

Jashtëzakonisht shqetësuese është tendenca e institucioneve të ndryshme shtetërore për minimizimin e rolit të institucioneve të pavarura kombëtare përgjithësisht: qoftë duke shpërfillur të gjeturat e tyre, qoftë duke mos zbatuar rekomandimet e tyre, apo qoftë edhe duke bërë përpjekje kundërligjore për cenimin e pavarësisë së tyre kushtetuese.
Ky fat po e përcjellë edhe Institucionin e Avokatit të Popullit, i cili angazhohet për krijimin e një klime në të cilën qytetarët e Republikës së Kosovës do të kishin mundësi t’i zgjidhnin problemet e tyre, bazuar në kushtetutë dhe në ligj. Por fatkeqësisht, me gjithë arritjen e disa rezultateve modeste, shumëçka mbetet në sfondin e të dëshiruarës. Prandaj, Avokati i Popullit shpreson që IAP do të ketë një përkrahje më të fuqishme nga Kuvendi, Qeveria dhe Komunat në aspektin material dhe të ofrimit të infrastrukturës së përshtatshme, me qëllim të ushtrimit të mandatit kushtetues mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
IAP, me gjithë pengesat e shumta, ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të ofrimit të shërbimit qytetarëve dhe personave të tjerë në nevojë. Përveç mundësisë për paraqitjen e ankesave me të gjitha format e komunikimit, drejtëpërdrejtë në zyrat e Avokatit të Popullit çdo ditë pune, me postë, me postë elektronike, përmes familjarëve apo avokatit dhe me telefon, IAP ka organizuar Ditët e Hapura, duke ofruar takime të drejtëpërdrejta një herë në muaj, për të gjithë personat në nevojë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, kryesisht në ndërtesat e Kuvendeve Komunale. Po ashtu, me qëllim të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve dhe të gjithë ankuesve, Avokati i Popullit çdo kërkese të drejtuar atij në mënyrë të rregullt, i përgjigjet me shkrim.
Megjithëse të gjitha këto veprime përcillen me një ngarkesë dukshëm më të madhe për bashkëpunëtorët e IAP, dhe rrjedhimisht me nevoja për resurse materiale dhe njerëzore shtesë, të cilat IAP nuk i janë lejuar, satisfaksion i vetëm për IAP mbetet rritja e besimit të qytetarëve dhe e disa institucioneve shtetërore në punën e IAP.
Gjatë vitit raportues 2011, në Institucionin e Avokati të Popullit janë regjistruar 1453 raste të proceduara, ose 220 raste më shumë sesa në vitin paraprak. Duhet theksuar se përveç rritjes për 15% tëë numrit të qytetarëve që i janë drejtuar IAP me parashtresat e tyre, edhe numri i rasteve të zgjidhura pozitivisht është rritur dhe për herë të parë mbi 50%.
Numri më i madh prej tyre ishin ankesa kundër gjyqësorit, në të gjitha nivelet. Ankesat kanë të bëjnë zakonisht me zvarritjen e proceseve gjyqësore – vonimit të drejtësisë; moszbatimin e vendimeve të plotfuqishme të gjykatave – dështimi i shtetit për të vënë drejtësinë, dhe; parashkrimit të mbi 2300 lëndëve gjyqësore – ose thënë më qartë, mohimin e drejtësisë. Të gjitha këto përbëjnë shkelje kushtetuese - të mbrojtjes gjyqësore të të drejtave.
Fatkeqësisht, një numër i ankesave ka të bëjë edhe me vendimet e padrejta, me elemente të korrupsionit dhe falsifikimeve, që nënkupton padrejtësi nga ata që pritet të vënë drejtësinë në vend. Me gjithë ndërmarrjen e veprimeve të pakta për luftimin e kësaj dukurie nga vetë gjyqësori, bazuar në të dhënat e IAP, në përgjithësi, në këtë drejtim, nuk kemi ndonjë përmirësim të dukshëm në krahasim me periudhën e mëparshme raportuese.
Gjatë vitit 2011, IAP ka regjistruar numër shqetësues të ankesave të qytetarëve që kanë të bëjnë me moszbatimin e vendimeve të plotfuqishme të institucioneve të pavarura shtetërore nga vetë institucionet e shtetërore, apo edhe vendime të paligjshme të institucioneve shtetërore. Ankesat më të shumta në këtë drejtim kanë të bëjnë me shkelje të ligjit në raste e punësimit apo edhe në vendin e punës, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

Një numër i konsiderueshëm i ankesave, gjithnjë në rritje, kanë të bëjnë me mosrregullimin ligjor të pensioneve, të sigurimit shëndetësor, mbrojtjen jo të duhur shëndetësore, mungesën e barnave nga e ashtuquajtura lista esenciale në institucionet publike shëndetësore.
Një fushë e ankesave që përcillet me pasoja serioze për marrëdhëniet ndërnjerëzore, ku vërehet edhe dështimi më serioz i sistemit të drejtësisë, qoftë për shkak të zvarritjeve të mëdha, qoftë për shkak të moszbatimit të vendimeve të plotëfuqishme gjyqësore, apo qoftë edhe të falsifikimeve të dëshmuara, është cenimi i të drejtës së pronës. Në këto raste, kur drejtësia shtetërore i mbështet njerëzit për murin e padrejtësisë, ata marrin drejtësinë në duart e tyre.
Një fushë tjetër ku vërehet një tendencë rritjeje të numrit të ankesave, është dështimi i mbrojtjes së mjedisit jetësor. Qoftë për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes në këtë fushë, qoftë për shkak të vetëdijsimit të një numri të madh të qytetarëve për gjendjen e patolerueshme, kemi një reagim gjithnjë e më të shpeshtë të qytetarëve.
Një shqetësim për Avokatin e Popullit mbetet gjendja e sigurisë në Republikën e Kosovës. Një rritje të numrit të rasteve të vrasjeve me armë është evidente.
Liria e lëvizjes në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, si dhe në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan është gati tërësisht e kufizuar për qytetarët, sidomos për personat e përkatësisë etnike jo-serbe, por dhe për autoritetet publike të Republikës së Kosovës si dhe për institucionet ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen edhe për sigurinë fizike.
Një gjendje shumë e rëndë sa i përket lirisë së lëvizjes vërehet edhe në trafikun rrugor. Në qendrat urbane, përveç zënies së trotuareve nga parkimi i pandërgjegjshëm i automjeteve, vërehet edhe një papërgjegjësi dhe kaos i patolerueshëm në ngasjen e automjeteve si në qendrat urbane ashtu edhe në rrugë të hapura. Përveç rrezikimit të drejtëpërdrejtë të jetës së njerëzve nga aksidentet fatale, shpeshherë kufizohet liria e lëvizjes së këmbësorëve, sidomos i fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Gjendja e rëndë ekonomike në vend, prek shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejtë në kualitetin e tyre jetësor. Shqetësuese në këtë drejtim është mungesa e perspektivës për të rinjtë, si dhe gjendja e pensionistëve. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit sërish kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës miratimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor si dheLigjit për sigurimin invalidor e pensional. Po ashtu, ripërsërit kërkesën për përfshirjen e Konventës për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si një ndër instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut të zbatueshme drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.
Shqetësim të veçantë për Avokatin e Popullit paraqet edhe izolimi strukturor nga jeta publike dhe si pasojë vetëizolimi shoqëror i komuniteteve ashkali, egjiptas dhe rom. Përpjekjet e deritanishme të autoriteteve publike në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe vetë Institucionin e Avokatit të Popullit, për integrimin e mirëfilltë të këtyre komuniteteve në jetën publike dhe shoqërore, përveç disa përmirësimeve në infrastrukturën e banimit, nuk kanë dhënë rezultate të lakmueshme.
Avokati i Popullit, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjitha rastet e veçanta kur ka konstatuar shkelje të drejtave, në Raportet e tij vjetore dhe të veçanta, ka bërë rekomandimet e duhura për të gjitha autoritet publike – ministritë, komunat si dhe agjencionet tjera publike përgjegjëse. Por, fatkeqësisht, në këtë drejtim kemi të bëjmë me një dështim të institucioneve publike. Deri më tani, Avokati i Popullit nuk ka marrë asnjë informatë apo njoftim nga ndonjë institucion, nëse janë zbatuar rekomandimet e tij. Një praktikë e tillë vazhdon të përcillet nga viti në vit dhe si e tillë është mjaft shqetësuese.
Meqenëse zbatimi i ligjit është premisa kryesore për funksionim e shtetit ligjor, në Republikën e Kosovës, me gjithë disa përpjekje modeste, moszbatimi i ligjit është indikatori kryesor për humbjen e besimit të qytetarit në institucionet shtetërore, të cilat zbatimin e ligjit e kanë detyrim ligjor dhe kushtetues. Ndërkaq, kjo humbje e besimit Avokatin e Popullit e vë në pozicionin drejt të cilit shtrohen kërkesa për të vënë drejtësinë në vend. Kjo ndodhë pikërisht për shkak të moszbatimit të ligjit në të shumtën e rasteve, e edhe të shkeljes së ligjit në raste të veçanta, nga pjesa dërrmuese të institucioneve shtetërore.
Në këtë drejtim, për përmirësimin e raportit dhe të komunikimit autoritete publike – qytetar, si dhe për rritjen e efektivitetit dhe të efikasitetit të autoriteteve publike, Avokati i Popullit e konsideron si domosdoshmëri nxjerrjen dhe miratimin sa më të shpejtë të një kodi bashkëkohor të qartë dhe të zbatueshëm të procedurës administrative.
Avokati i Popullit do të vazhdojë të evidentojë dhe të nxjerrë në pah veprimet apo mosveprimet e parregullta e të paligjshme të autoriteteve publike, pikërisht për të luajtur rolin që ka në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Por, me gjithë këto veprime dhe përpjekje për përmirësimin e gjendjes së të drejtave dhe të lirive të njeriut, dua të theksoj qartë se, Avokati i Popullit nuk ndan drejtësi.
Janë institucionet shtetërore – gjykatat që ndajnë dhe zbatojnë drejtësinë. Janë pikërisht institucionet shtetërore ato të cilat nuk do të duhej të shkelnin mbi parimet e drejtësisë ligjore, sepse po qe se shkelin mbi to, atëherë kanë prekur në besimin e domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Kjo nuk guxon të ndodhë dhe nuk duhet lejuar të ndodhë.
Shpresa për një të ardhme më të mirë, edhe pse e nëpërkëmbur, nuk ka humbur. Janë evidente dhe shpresëdhënëse përpjekjet për vendosjen e rendit dhe të ligjit. Prandaj, Avokati i Popullit kërkon më shumë përkushtim dhe përgjegjësi individuale, shoqërore dhe sidomos institucionale të autoriteteve publike për veprimet apo mos veprimet e tyre.
Duke qenë mbikëqyrës i zbatimit kushtetues dhe ligjor i të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit njëkohësisht është edhe ndriçues i rasteve kur qytetarët privohen nga ndonjë e drejtë e tyre, si dhe qortues i institucioneve publike, kur ato shprehen mospërfillëse në zbatimin kushtetues dhe ligjor të të drejtave dhe lirive të tyre.
Avokati i Popullit shpreson por edhe kërkon me ngulm, që të gjitha autoritetet publike dhe organizatat që ushtrojnë autorizime publike në Republikën e Kosovës, të marrin në konsideratë të gjeturat e Avokatit të Popullit dhe zbatimin e rekomandimeve, të bëra qoftë në raportin vjetor apo edhe në raportet e veçanta, me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të të drejtave të njeriut.
Zoti kryetar,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Duke mbetur në dispozicionin tuaj për sqarime të domosdoshme, ju faleminderit për vëmendjen!

  • Shpendaj

Zyrat e Avokatit të Popullit

Mitrovicë
Pejë
Prishtinë
Gjakovë
Gjilan
Graçanicë
Ferizaj
Prizren

Zyra regjionale në Mitrovicë

Telefoni: +383 (0) 28 530 138
Adresa Rruga " Afrim Zhitia" p/n 
( Ndërtesa e Administratës Pensionale të Kosovës), 
Kati 3, Zyra No. 11 dhe 12.
Puna me palë: Çdo ditë pune, nga ora 08:30 - 15:00 
Nën zyra në Mitrovicë Telefoni: + 377 (0)45 455 319 +381 (0)64 956 00 50 Adresa: Rr. "Sami Frashëri", pn.Lagja e boshnjakëve, Ndërtesa e ZAK në veri të Mitrovicës Puna me palë: Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Pejë

Telefoni:
+381 (0)39 432 931 Adresa:
Rruga “Mbretëresha Teutë”, Nr.59,
Ndërtesa e Komunës,Kati III, nr. 3 Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra Qëndrore, Prishtinë

Thirrjet falas për palët:
0800 15555
 
Numrat telefonik të kontaktit:
+381 (0) 38 223 782; +381 (0) 38 223 783 +381 (0) 38 223 784; +381 (0) 38 223 789

E-mail adresa:info@ombudspersonkosovo.org
Adresa e Zyrës Qendrore:
Institucioni i Avokatit të Popullit 
Rr. “MIGJENI”, nr. 21 
10000 Prishtinë, KOSOVË

Zyra regjionale në Gjakovë

Telefoni:
+381 (0)390 327 698 Adresa:
Rr. "Ismail Qemali"
(ish ndërtesa e Kadastrës)
Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Gjilan

Telefoni:
+381 (0)280 320 843 Adresa:
Rruga “Bulevardi i Pavarësisë" (ish ndërtesa e gjykatës) p.n. Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Graçanicë

Telefoni:        
+381 (0) 38 223 783 +377 (0) 44 367 719, +381 (0) 64 37 11 137
Adresa:
rr."Car Lazari" p.n.
Puna me palë: 
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Ferizaj

Telefoni:
+381 (0)290 326 032 Adresa:
Ndërtesa e Komunës (përdhesë) Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Prizren

Telefoni:
+381 (0)29 222 138 Adresa:
Rr. “Remzi Ademi”, pn Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Nuk ka anketë aktive.