REPUBLIKA E KOSOVËS

Avokati i Popullit

paraqit rastin

Thirrja falas

Lajme

Lajme

07.10.2011

Fjala e Avokatit të Popullit në Kuvendin e Kosovës lidhur me Raportin Vjetor 2010

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit, Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë, Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar
Bazuar në nenin 135, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 27, paragrafi 1 dhe 2, të Ligjit për Avokatin e Popullit, ju paraqes raportin e dhjetë vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, që përfshin periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2010.
Njëkohësisht, ju falënderoj për mundësinë e ofruar për paraqitjen e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, i cili është obligim kushtetues reciprok i Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Republikën e Kosovës paraqesin bazën e rendit juridik të saj. Mishërimi normativ i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe ngritja e tyre në kategori kushtetuese, si dhe funksionalizimi ligjor dhe teknik i institucioneve, garantuese dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut, e dëshmojnë këtë katërçipërisht.
Republika e Kosovës vazhdon të ballafaqohet me dy kundërshti që përbëjnë realitetin që e shohim dhe e prekim të gjithë ne: kërkesat e mëdha dhe mundësitë e vogla! Gjetja e baraspeshës politike, gjegjësisht e baraspeshës midis kërkesave dhe mundësive shoqërore, është pikërisht qëllimi i organizimit dhe i veprimit të shtetit.
Sfidat kryesore, më të mëdhatë, që vazhdojnë të lëkundin themelet e baraspeshës politike në Republikën e Kosovës, janë shteti ligjor, ai social dhe siguria fizike.
Ndonëse Republika e Kosovës tashmë ka krijuar një traditë modeste në angazhimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, nga çfarëdo aspekti dhe segmenti shkelës, qytetarët e saj, të cilët në të kaluarën janë ballafaquar me masat më të egra shtypëse, individualisht dhe kolektivisht, ndonëse në forma të tjera dhe jo me po atë brutalitet të dhunës fizike, edhe sot e kësaj dite përballen me shkeljet, nga më të ndryshmet, të lirive dhe të të drejtave të tyre.
Fokusi i misionit të Avokatit të Popullit është mbrojtja e të drejtave të njeriut pikërisht kur këto shkelje janë pasojë e veprimeve aktive të paligjshme, apo të pamjaftueshmërisë së angazhimit të institucioneve publike në zbatimin e ligjeve.
Pasqyrimi i mbrojtjes, mbikëqyrjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nëpërmjet mekanizmave veprues ligjorë, i sublimuar në veprimtarinë e përcaktuar kushtetuese dhe ligjore, është raporti vjetor, tashti i dhjeti me radhë i Avokatit të Popullit, të cilin sot po e paraqesim para jush, deputetë të nderuar.
Rastet e shkeljeve të të drejtave dhe të lirive të njeriut, nga institucionet publike në Republikën e Kosovës, as gjatë kësaj periudhe raportuese nuk kanë rezultuar me ndonjë zvogëlim të numrit që do të duhej theksuar, ashtu siç ka mbetur e njëjtë natyra e shkeljeve. Ndërkaq, zgjidhja e tyre vazhdon të jetë e koklavitur, shpeshherë e pamundshme, qoftë për shkak të shpërfilljes së kërkesave dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit, qoftë për shkak të zvarritjes për zgjidhjen e problemeve.
Raporti i dhjetë vjetor i Avokatit të Popullit, sikurse edhe raportet e mëparshme, duke qenë dokument zyrtar, paraqet në mënyrën më të përafërt gjendjen reale të të drejtave dhe të lirive të njeriut, përkatësisht anën e pakëndshme të realizimit të tyre. Njëkohësisht, ky raport shpërfaq edhe përpjekjet dhe angazhimin e Avokatit të Popullit për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe për promovimin e tyre, në anën tjetër.
Në Institucionin e Avokati i Popullit, gjatë vitit 2010, janë 1233 raste të proceduara. Numri më i madh prej tyre janë ankesa kundër gjyqësorit, në të gjitha nivelet. Ankesat kanë të bëjnë me zvarritjen e proceseve gjyqësore – vonimin e drejtësisë; moszbatimin e vendimeve të plotfuqishme të gjykatave të rregullta – pafuqishmërinë e shtetit për të vënë drejtësinë në vend, apo edhe vendimet të padrejta, me elemente të korrupsionit dhe falsifikimeve, që nënkupton padrejtësi nga ata që pritet të vënë drejtësinë në vend! Të gjitha këto emërohen shkurt e qartë: mohim i drejtësisë!
Kurse në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, as ka dhe as ndahet drejtësia ligjore. Republika e Kosovës nuk ushtron pushtetin në këtë pjesë të territorit të vet, prandaj edhe nuk mund të mbahet përgjegjëse për këtë pjesë. Megjithëse, Avokatit të Popullit me ankesa i drejtohen edhe qytetarët e këtyre komunave përmes zyrës së Institucionit në këtë pjesë.
Një pjesë tjetër e madhe e ankesave të qytetarëve kanë të bëjnë me moszbatimin e vendimeve të plotfuqishme të institucioneve të pavarura shtetërore nga vetë institucionet e shtetërore, apo edhe vendime të paligjshme të institucioneve shtetërore.
Gjithashtu nga analiza e vendimeve dhe akteve të tjera gjyqësore si dhe të institucioneve të tjera shtetërore, të cilat i ofrohen si dëshmi Avokatit të Popullit, vërehen lëshime e mangësi, shkelje e padrejtësi të natyrës materiale dhe procedurale. Ndërkaq, Avokati i Popullit nuk ndërhyn në punën e gjyqësorit në asnjë fazë të zhvillimit të procedurës, as në marrjen e vendimeve dhe as në interpretimin apo ndryshimin e vendimeve gjyqësore.
Një dukuri negative, e cila vazhdon të lëshojë rrënjë në Republikën e Kosoëvs është humbja e besimit në zbatimin e ligjit.
Në këtë dritë, humbja e besimit në zbatimin e ligjit e vë Avokatin e Popullit në pozicionin drejt të cilit gabimisht shtrohen kërkesa për t’u angazhuar më tepër në vënien e drejtësisë në vend. Rrjedhimisht, edhe presioni mbi Avokatin e Popullit është në rritje dhe vjen nga të gjitha anët: nga individët, nga politika, nga grupet e ndryshme të interesit, nga shoqëria civile dhe nga mediat. Disa e kanë nga halli i madh, të tjerët kanë synime politike, disa e bëjnë të shtyrë nga interesi material, disa duan të shtyjnë përpara agjendën e tyre, kurse të n-tët duan thjesht të kenë ndikimin e tyre mbi Institucionin e Avokatit të Popullit. Pothuajse të gjithë e harrojnë, qëllimshëm ose jo, se Avokati i Popullit është institucion i pavarur kushtetues, me mision dhe kompetenca të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. Agjenda, veprimet dhe vendimet e Avokatit të Popullit janë të pavarura dhe të tilla do të mbeten, përderisa Kushtetuta dhe Ligji e përcaktojnë kështu.
Avokati i Popullit nuk ndan drejtësi, por do të vazhdojë të evidentojë dhe të nxjerrë në pah veprimet apo mosveprimet e parregullta e të paligjshme të autoriteteve publike, pikërisht për të luajtur rolin që ka në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në parimin se askush mbi ligjin!
Nëse shteti shkel mbi parimet e drejtësisë ligjore, ka prekur në besimin e domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie demokratike. Prandaj, humbja e besimit në shtetin prish shtyllat mbajtëse të funksionimit të baraspeshuar e të bazuar në drejtësi për të gjithë. Kjo nuk duhet të ndodh. Barazinë para ligjit duhet ta sigurojnë dhe ta garantojnë në radhë të parë mekanizmat shtetërorë.
Të nderuar deputetë,
Pavarësisht përballjeve të shumta dhe të ndryshme, pavarësisht ngecjeve dhe vështirësive, pavarësisht situatave, nganjëherë të pakëndshme, në të cilat janë gjendur, për shkak të ndjeshmërisë së rasteve dhe krijimit të raporteve ndërmjet qytetarit që ka konsideruar se i është shkelur akëcila e drejtë ligjore dhe institucionit që është supozuar se ka bërë shkeljen, Avokati i Popullit dhe bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të përmbushin misionin e tyre themelor, të mbrojnë edhe më me sukses të drejtat e njeriut, duke e shtuar efikasitetin e punës së tyre.
Në këtë dritë, gjatë kësaj periudhe raportuese, në krahasim me periudhën e kaluar raportuese, ka pasur një ngritje prej mbi 10 për qind të numrit të rasteve të zgjidhura, sipas kërkesave të ankuesve – domethënë pozitivisht. Kjo ngritje, pos si rezultat i efikasitetit, është edhe rezultat i cilësisë së dëshmuar të punës.
Parimet, kriteret dhe aspektet kryesore për hartimin i këtij raporti qëndrojnë në shpërfaqjen e punës njëvjeçare të Avokatit të Popullit, përfshirë të gjitha hallkat vepruese të tij dhe të paraqitura sipas një renditjeje logjike të bazuar në misionin kushtetues të Avokatit të Popullit: mbrojtja, mbikëqyrja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.
Avokati i Popullit, duke qenë një mbikëqyrës i zbatimit kushtetues dhe ligjor i të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ai njëkohësisht është edhe një ndriçues i rasteve kur qytetarët privohen nga ndonjë e drejtë e tyre, si dhe qortues i institucioneve publike kur ato shprehen mospërfillëse në zbatimin kushtetues dhe ligjor të të drejtave dhe lirive të tyre.
Ky është njëri prej postulateve kryesore që shpërfaq ky raport, me një synim sublim: paraqitjen reale të gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriu në Kosovë dhe kahet e zhvillimeve të kësaj gjendjeje.

Zoti kryetar,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Duke mbetur në dispozicionin tuaj për sqarime të domosdoshme, ju faleminderit për vëmendjen.


  • Shpendaj

Zyrat e Avokatit të Popullit

Mitrovicë
Pejë
Prishtinë
Gjakovë
Gjilan
Graçanicë
Ferizaj
Prizren

Zyra regjionale në Mitrovicë

Telefoni: +383 (0) 28 530 138
Adresa Rruga " Afrim Zhitia" p/n 
( Ndërtesa e Administratës Pensionale të Kosovës), 
Kati 3, Zyra No. 11 dhe 12.
Puna me palë: Çdo ditë pune, nga ora 08:30 - 15:00 
Nën zyra në Mitrovicë Telefoni: + 377 (0)45 455 319 +381 (0)64 956 00 50 Adresa: Rr. "Sami Frashëri", pn.Lagja e boshnjakëve, Ndërtesa e ZAK në veri të Mitrovicës Puna me palë: Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Pejë

Telefoni:
+381 (0)39 432 931 Adresa:
Rruga “Mbretëresha Teutë”, Nr.59,
Ndërtesa e Komunës,Kati III, nr. 3 Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra Qëndrore, Prishtinë

Thirrjet falas për palët:
0800 15555
 
Numrat telefonik të kontaktit:
+381 (0) 38 223 782; +381 (0) 38 223 783 +381 (0) 38 223 784; +381 (0) 38 223 789

E-mail adresa:info@ombudspersonkosovo.org
Adresa e Zyrës Qendrore:
Institucioni i Avokatit të Popullit 
Rr. “MIGJENI”, nr. 21 
10000 Prishtinë, KOSOVË

Zyra regjionale në Gjakovë

Telefoni:
+381 (0)390 327 698 Adresa:
Rr. "Ismail Qemali"
(ish ndërtesa e Kadastrës)
Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Gjilan

Telefoni:
+381 (0)280 320 843 Adresa:
Rruga “Bulevardi i Pavarësisë" (ish ndërtesa e gjykatës) p.n. Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Graçanicë

Telefoni:        
+381 (0) 38 223 783 +377 (0) 44 367 719, +381 (0) 64 37 11 137
Adresa:
rr."Car Lazari" p.n.
Puna me palë: 
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Ferizaj

Telefoni:
+381 (0)290 326 032 Adresa:
Ndërtesa e Komunës (përdhesë) Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Zyra regjionale në Prizren

Telefoni:
+381 (0)29 222 138 Adresa:
Rr. “Remzi Ademi”, pn Puna me palë:
Çdo ditë pune, nga ora 08:00 - 16:00

Nuk ka anketë aktive.